Vaksina amerikane kundër Covid hyn në fazën e fundit: Testohet te 30 mijë vullnetarë
Vaksina eksperimentale kundër COVID-19 nga instituti bioteknik amerikan ”Moderna”, bashkëfinancuar nga qeveria amerikane, do të hyjë në fazën e tretë dhe të fundit të provave klinike tek 30 000 vullnetarë në muajin korrik, njoftoi sot kompania.
Kjo është faza vendimtare e provave, e cila do të mundësojë të shihet, në një shkallë të gjerë të personave të shëndetshëm, nëse vaksina është më efektive se një medikament për të penguar kontaminimin nga koronavirusi.
Protokolli është përfunduar me Agjencinë amerikane të Medikamenteve (FDA) dhe gjykimi do të bëhet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit (NIH).
Renditur mes të parëve në garën botërore kundër koronavirusit të ri, kompania bioteknike amerikane, ”Moderna”, financuar nga Uashingtoni njoftoi rezultatet paraprake shumë inkurajuese për vaksinën e saj eksperimentale tek tetë vullnetarë, para provës në shkallë të gjerë që është parashikuar në korrik.
Kompania e re, në të cilën qeveria amerikane ka investuar 483 milionë dollarë, njoftoi të dhëna pozitive nga faza fillestare e provave klinike.
Në tetë persona, vaksina eksperimentale e quajtur mRNA-1273 ka dhënë një përgjigje imunitare të ngjashme me atë që shihet tek njerëzit që janë infektuar natyrshëm nga virusi që shkakton COVID-19.
Faza e dytë, që do të përfshijë 600 vullnetarë, ka filluar në maj. Vaksinimi bëhet në dy doza të ndara prej 28 ditësh. Gjysma e pjesëmarrësve marrin një medikament.
Nëse doza e zgjedhur për testet (100 mikrogramë) rezulton e efektshme, ”Moderna” ka planifikuar të jetë në gjendje të prodhojë 500 milionë doza në vit dhe ndoshta deri në një miliardë.
Duke dashur të jetë në përparësi, SHBA-ja ka investuar më herët në projektin e ”Moderna”-s, si dhe në ato, më pak të avancuara, të grupit amerikan “Johnson & Johnson” dhe laboratorit francez “Sanofi”, i cili ka vende prodhimi në SHBA.
Është shumë herët për të parashikuar të ardhmen e kësaj vaksine, bazuar në një teknologji të quajtur ARN mesazh që ende nuk e ka vërtetuar efikasitetin e saj.
Teknologjia synon t’i japë trupit informacionin gjenetik të nevojshëm për të aktivizuar mbrojtjen në mënyrë parandaluese kundër koronavirusit.