Bota Valë e dytë e COVID në Ballkan, Vuçiç anulon mitingjet e fushatës...

Valë e dytë e COVID në Ballkan, Vuçiç anulon mitingjet e fushatës elektorale   

Koronavirusi është rikthyer në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku numrat më të lartë aktualisht i numëron Maqedonia e Veriut, që në vetëm 24 orët e fundit ka 175 raste.

Ndërkohë, Serbia e cila është një nga vendet më të goditura nga COVID-19 dhe që ka ndjekur strategjinë e testimeve masive, numëron 71 raste të fundit.

Numrat kanë ardhur duke u rritur në mënyrë shqetësuese ditët e fundit, pasi në fillim të qershorit u arrit një nivel gati minimal në të gjitha vendet e rajonit. Tashmë, situata nuk paraqitet e mirë as në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që Mali i Zi konsiderohet si vend që e ka fituar tashmë betejën me COVID-19.

Nisur nga rreziku i një vale të dytë infektimesh, partia e Aleksandër Vuçiç në Serbi, Partia Progresiste Serbe, ka anuluar të gjithë mitingjet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 21 qershor.

Por, ndërkohë gjatë një aktiviteti elektoral më 3 qershor, Vuçiç ka folur para qindra personave të cilët ishin grumbulluar pa ruajtur distancën fizike, ku shumica absolute e pjesëmarrësve nuk mbanin maskë dhe doreza.

Serbia ka kaluar nga masat shumë ekstreme tek gati heqja e të gjitha kufizimeve. Kjo lëvizje është cilësuar nga kundërshtarët politik si një lëvizje taktike e Vuçiç me qëllimin për të mbajtur zgjedhjet, që fillimisht ishin parashikuar në prill.

Grumbullimet masive hanë lejuar gradualisht, ndërsa qytetarët këshillohen që të ruajnë distancën sociale dhe të mbajnë maskë. Gati 20 mijë tifozë u mblodhën në stadiumin e Beogradit, ndërsa luhej ndeshja e Yllit të Kuq me Partizanin.