Kryesore Vaksina antiCovid e Oksfordit efikase 70%: Ku ndryshon nga Pfizer dhe Moderna

Vaksina antiCovid e Oksfordit efikase 70%: Ku ndryshon nga Pfizer dhe Moderna

Vaksina kundër COVID-19, e zhvilluar nga laboratori britanik AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit është efikase 70%.

Por edhe pse ka një mbrojtje më të vogël se dy vaksinat e tjera të krijuara nga Pfizer dhe Moderna, Universiteti i Oksfordit ka avantazhin në çmim dhe mundësinë për ta shpërndarë në të gjithë botën.

Por studimet e kryera deri tani nuk janë përfundimtare dhe ekzistojnë të dhëna që tregojnë se nëse përsoset më shumë doza e vaksinës mbrojtja shkon deri në 90%.

Studiuesit e Oksfordit kanë kryer procesin në një afat kohor 10 muaj, por tregojnë se po vijojnë ende kërkimet në laboratorë.

“Njoftimi sot na çon një hap më afër kohës kur mund të përdorim vaksinat për t’i dhënë fund shkatërrimit të shkaktuar nga virusi“, tha krijuesja e vaksinës, Sarah Gilbert. Tashmë pritet që përdorimi i vaksinës të aprovohet nga institucionet dhe të nisë prodhimi i saj në masë.

“Shumë e efektshme”

Kjo vaksinë është për momentin më pak bindëse se ajo e Pfizer/BioNTech apo Modernas, efikasiteti i të cilave kalon 90%.

Por, ajo përdor teknologji më tradicionale sesa këta dy konkurrentë, gjë që e bën atë më pak të kushtueshme dhe më të lehtë për tu ruajtur pasi nuk ka nevojë të mbahet në temperatura shumë të ulëta.

AstraZeneca theksoi në deklaratë se vaksina e saj është “shumë e efektshme” në parandalimin e sëmundjes, duke vënë në dukje se asnjë pjesëmarrës në prova nuk zhvilloi forma të rënda ose duhej të shtrohej në spital.

Rezultatet paraprake bazohen në provat mbi më shumë se 20 000 persona, prej të cilëve 131 kanë marrë sëmundjen.

Laboratori britanik theksoi se do t’ia paraqiste shumë shpejt rezultatet autoriteteve për të marrë dritën e gjelbër.

“Në sajë të një zinxhiri të thjeshtë furnizimi, vaksina do të jetë e aksesueshme në mbarë botën”, theksoi Pascal Soriot, drejtor i përgjithshëm i AstraZeneca.

Tre miliardë doza

Grupi thekson se ka avancuar në prodhimin e parashikuar të tre miliardë dozave, që do të jenë të disponueshme në 2021.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, u shpreh në Sky News  shumë i lumtur për këtë lajm të cilësuar inkurajues.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka porositur paraprakisht 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, mjaftueshëm për të imunizuar 50 milion njerëz.

Më herët disa kompani private kanë treguar rezultatet e vaksinave të tyre dhe tregojnë se kanë një mbrojtje që shkon deri në 95%. Të parët që njoftuan krijimin e vaksinës ishin Pfizer dhe BioNTech, që treguan një vaksinë që të mbronte mbi 90% e më pas Moderna që deklaroi se vaksina e tyre të mbronte deri në 95%.