Kryesore Vaksinimi kundër Covid, Von der Leyen: BE do të kujdeset për Ballkanin...

Vaksinimi kundër Covid, Von der Leyen: BE do të kujdeset për Ballkanin Perëndimor

Pas miratimit të buxhetit, në ditën e dytë të samitit liderët e BE-së vijuan diskutimet mbi mënyrën sesi unioni do të koordinojë aksionet e mëtejshme duke u ndalur veçanërisht tek rimëkëmbja e ekonomive nga pandemia dhe procesi i vaksinimit.

Në fjalën e saj Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u shpreh se ajo çfarë ka rëndësi në këto moment është vaksinimi i cili shpëton jetë duke u bërë thirrje autoriteteve në të gjitha vendet të bëhet gati për procesin e vaksinimit.

“Ne kujdesemi për fqinjët tanë, BE-ja do të koordinojë procesin e dhënies së vaksinave edhe në Ballkanin Perëndimor për të mbrojtur së pari punonjësit e sektorit shëndetësor,” – u shpreh ajo.

Von der Leyen nënvizoi se Bashkimi Europian duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë Europiane të barnave pritet që vaksina e Pfizer Biontech të miratohet në fund të vitit, ndërsa vaksina e kompanisë Moderna në mes të muajit janar.

Ndërkohë kancelarja Merkel u shpreh se vaksinat të cilat miratohet duhet të mbërrijnë në të njëjtën kohë në secilin shtet anëtar të BE-së.