Të gjithë e njohim personazhin e famshëm të kinematografisë Batman, njeriu-lakuriq nate. Pakkush e di që ky personazh ka lindur në vitin 1939, në studiot e Hollywood në Amerikë dhe që atëherë është kthyer në një ndër simbolet e kinemasë hollivudiane.
Të gjithë e njohim edhe Valencia-n, klubin e futbollit të qytetit të famshëm spanjoll. Nëse sheh logon e Valencias, dallon lehtësisht një lakuriq nate, simbol i këtij klubi dhe i qytetit (prej shekullit të 13-të, kur një lakuriq nate u ul mbi flamurin e mbretit të Aragonës, Jaime el Conquistador, i cili po udhëhiqte betejën me maurët dhe një ditë më vonë fitoi betejën, duke themeluar mbretërinë e Valencias). Pakkush e di që kjo logo ekziston prej vitit 1919, kur u themelua klubi i futbollit, që këto ditë festoi 100-vjetorin e lindjes.
Imagjinoni tani të jeni një drejtues i Valencias dhe t’ju vijë një letër nga DC Comics, kompania që zotëron gjithçka lidhet me emrin Batman. Emocionuese, kushedi çfarë duan. Hap zarfin dhe shtangesh: një kërcënim për padi!
Padi për Përvetësim të Pronës Intelektuale! DC Comics ka dorëzuar një ankesë në Zyrat e Bashkimit Europian se Valencia ka hedhur në qarkullim një logo tepër të ngjashme me atë të filmave Batman.
Si përgjigjet Valencia?
As që e vret mendjen, sepse “lakuriqët e natës” nuk janë e drejtë ekskluzive e ndokujt”.
Një drejtues i Valencias lëshoi një deklaratë epike për El Confidencial: “Kur klubi ynë nisi të luante futboll me një lakuriq nate si logo, në Amerikë ndiqnin ende bizonët”.
Knock-out! Valencia e gozhdon me një batutë të vetme!
Edhe specialistët e fushës janë treguar të qartë: kjo padi nuk pi ujë askund, sepse Valencia është më e vjetër se Batmani.