Ernesto Valverde synon të vazhdojë në Barcelonë. Ky është kryelajmi i ditës së sotme në “Mundo Deportivo”, në faqen e saj të parë. Trajneri duket i vendosur të mos lëvizë nga “Camp Nou” dhe synon ta përmbushë vitin shtesë të kontratës, që ai ka nënshkruar.
Ishte e mundur që të dyja palët, trajneri dhe klubi, ta mbyllnin bashkëpunimin në fund të këtij sezoni, por duket se nuk do të jetë kështu. “Valverde dëshiron të vazhdojë”, – thotë kjo gazetë, duke iu referuar burimeve pranë trajnerit.
Një rast shumë i ndryshëm është ai i Philippe Coutinho. Braziliani është titull kryesor i katalanases “Sport”, ditën e sotme. “Caso Coutinho“, – shkruhet në faqen e parë, teksa vijohet me shpjegimin: “El Clásico e la atë në hije, përsëri, edhe pse ekipi është i bindur se do të përmirësohet. Ndërkohë, në Angli insistojnë se Chelsea dëshiron të nënshkruajë me të, në rast se Eden Hazard shkon në Madrid”
Për Coutinho e ardhmja duket se lidhet edhe me trajnerin aktual, sepse Valverde nuk e konsideron lojtar kyç për skemat e tij të lojës, ndaj duket qartë se nëse Valverde konfirmohet për sezonin e ardhshëm, në verë braziliani ka një arsye më shumë për t’u kthyer në Angli, aty ku ka pasur kulmin e karrierës, sepse në Liverpool ishte magjik.