Shqipëria po bëhet gati të dërgojë në Gjermani disa mostra të dyshimta të COVID-19, për të zbuluar nëse variantet e reja të koronavirusit janë apo jo prezente në vend.
“Po bëhen gati mostrat e tjera për t’u dërguar pranë Institutit të Virologjisë Charite në Berlin. Dhe natyrisht kjo është një punë që do të vazhdojë; krahas punës së laboratorit me PCR, do të vazhdojë edhe puna për dërgimin e vazhdueshëm të mostrave në lidhje me identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm variantit britanik, por të çdo lloj varianti të ri, në mënyrë që këto mutacione të kapen në kohë”, u shpreh shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino.
ISHP nuk ka kapacitete të zbulojë saktësisht variantet e reja të COVID-19. Sipas shefes së epidemiologjisë Silva Bino aktualisht vetëm përmes testimit me PCR, mund të kuptohet nëse kemi të bëjmë me diçka të re ndryshe nga COVUID-19. Për këtë arsye në pikat e testimit të shpejtë do të përfshihet edhe testimi nëpërmjet metodës klasike të PCR.
“Ne kemi vendosur që në këto pika testimi të përfshijmë gjithashtu dhe testimin nëpërmjet PCR. Ky një element i shtuar për sa i përket punës dhe identifikimit të rasteve të dyshuara në territor. Ne jemi në bashkëpunim edhe me institutet ndërkombëtare për identifikimin dhe kapjen në kohë të varianteve të reja të COVID-19”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Aktualisht testimi i shpejtë kryhet vetëm në Tiranë në 10 qendra shëndetësore.