Bota “Super Mario” pranon detyrën si kryeministër i Italisë: Të fitojmë mbi pandeminë

“Super Mario” pranon detyrën si kryeministër i Italisë: Të fitojmë mbi pandeminë

“Fitorja mbi pandeminë dhe hapja e vendit”. Këto janë dy qëllimet kryesore të kryeministrit të ri të emëruar në Itali, Mario Draghi-t, ekonomisti i njohur që arriti të shpëtonte Eurozonën në 2012-n.

Ai u emërua nga Presidenti italian Sergio Mattarella pas një takimi të zhvilluar këtë mëngjes në Quirinale.

“Prof. Draghi rezervoi të drejtën për të pranuar”, është deklarata e Quirinale lexuar nga sekretari i përgjithshëm Ugo Zampetti publikuar pas një orë bisedë midis Mattarella-s dhe Draghi-t.

Më pas ishte vetë Dragi që tha fjalët e tij të para, pasi mori postin si kryeministri i ri i Italisë nga kreu i shtetit:

“Falënderoj Presidentin e Republikës për besimin. Është një kohë e vështirë dhe i përgjigjem pozitivisht apelit të Kreut të Shtetit. Fitorja mbi pandeminë, përfundimi i fushatës së vaksinimit, përgjigjja ndaj nevojave të qytetarëve, rihapja e vendit janë sfidat tona. Ne kemi burimet e jashtëzakonshme që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe mund të bëjmë shumë për të ardhmen e vendit. Me shumë respekt, do t’i drejtohem Parlamentit fillimisht: Kam besim tek uniteti nga dialogu me partitë dhe grupet parlamentare dhe nga dialogu me forcat shoqërore, dhe bashkë me aftësinë për t’i dhënë një përgjigje të përgjegjshme dhe pozitive kërkesës të Presidentit të Republikës”.

Lëvizja 5 Yje deklaroi se nuk do të mbështesë qeverinë teknike të udhëhequr nga Draghi. Ndërkohë ky i fundit dhe Presidenti janë në bisedime tashmë me kreun e Parlamentit, Roberto Fico.

Ndërkohë sekretari i Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti, shprehet: “Me emërimin e Mario Draghi, hapet një fazë e re që mund ta çojë vendin nga pasiguria e krijuar nga një krizë e papërgjegjshme dhe absurde”.

Conte qëndroi në pushtet 2 vite e 6 muaj që nga viti 2019 që erdhi në pushtet dhe dha dorëheqjen një javë më parë pasi humbi shumicën qeverisëse.

Mattarella vendosi që t’i besojë Draghi-t për të formuar qeverinë e re pas krizës politike që është krijuar nga dorëheqja e Giuseppe Conte-s dhe mos arritja e kompromisit mes partive për një koalicion.

Mario Draghi është një emër i njohur në Itali dhe jo vetëm. Ai ka drejtuar Bankën Qendrore Europiane në momentet më të vështira të saj, gjatë krizës financiare të disa viteve më parë dhe që nga aty ka marrë pseudonimin “Super Mario”.

Draghi u takua me presidentin Mattarella pas kërkesës së këtij të fundit, i cili ka deklaruar se vendi ka nevojë për një qeveri me figura të larta. Mattarella u shpreh të martën se shpreson që qeveria e re që do të krijohet të ketë mbështetjen e parlamentit.

Alternativë tjetër mbeten vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe ato kanë pasoja për vendin në mes të një krize të shkaktuar nga Covid.