Varianti Delta i koronavirusit, i cili po shkakton rritje të rasteve në të gjithë botën, mund të ketë një shkallë rezistence ndaj vaksinave. Megjithatë, ekspertë të OBSH-së theksojnë se në përgjithësi vaksinat mbeten shumë efektive në mbrojtjen nga varianti i zbuluar fillimisht në Indi.
Maria Van Kerkhove tha: “Ky është një mesazh me të vërtetë i rëndësishëm që duam ta bëjmë të qartë. Edhe pse shohim një efektshmëri të zvogëluar, vaksinat mbeten të efektshme në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe të vdekjeve, përfshirë edhe ato nga varianti Delta”.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebrejesus, deklaroi se varianti është identifikuar në 92 vende dhe ka ngadalësuar trendin global të rënies së infektimeve pas 8 javësh radhazi: “Ritmi i rënies së infektimeve në shumicën e rajoneve është ngadalësuar dhe çdo rajon ka vende që po përjetojnë rritje të shpejtë të rasteve dhe vdekjeve. Në Afrikë, numri i infektimeve dhe vdekjeve është rritur me gati 40% javën e kaluar”.
Delta mund të bëhet lloji dominues i koronavirusit
Përhapja e variantit Delta detyroi Britaninë e Madhe të shtyjë me katër javë rihapjen e plotë të ekonomisë. Në Shtetet e Bashkuara, ku niveli i vaksinimit është relativisht i lartë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti Delta mund të bëhet lloji dominues i koronavirusit gjatë verës.
Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se rastet po rriten në zonat ku niveli i vaksinimit është i ulët. Në Izrael, një prej vendeve me mbulimin më të mirë të vaksinave në botë, autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për vaksinimin e shpejtë të adoleshentëve të moshave 12 deri në 15 vjeç, për shkak të shpërthimeve lokale të rasteve me koronavirus.
Çfarë dihet për variantin Delta?
Varianti Delta i koronavirusit është shfaqur për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020 dhe që atëherë është përhapur në 92 vende të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, në rastin e variantit Delta, ka regjistruar transmetueshmëri më të madhe, ndërsa shkencëtarët janë duke studiuar arsyet e kësaj.
Por, sipas OBSH-së, nuk ka ende të dhëna që tregojnë se Delta është më vdekjeprurëse. Studiuesit thonë se simptomat më të zakonshme që lidhen me variantin Delta janë: dhimbja e kokës, dhimbja e fytit dhe rrjedhja nga hunda.