Varianti i ri i koronavirusit ka mbërritur edhe në Francë. Autoritetet atje kanë konfirmuar rastin e parë të variantit më të transmetueshëm që u identifikua më herët në Mbretërinë e Bashkuar.
Ministri i Shëndetësisë tha se bëhet fjalë për një shtetas francez në qytetin e Tours-it, i cili ishte kthyer nga Londra më 19 Dhjetor. Sipas informacioneve, ky person është asimptomatik dhe ndodhet i vetëizoluar në shtëpi.
Shfaqja e një varianti të ri të koronavirusit në Angli ka shkaktuar panik në të gjithë botën. Shumica e vendeve kanë marrë masa duke pezulluar hyrjet nga Britania. Franca për shembull mbylli kufijtë. Megjithatë të mërkurën u vendos që të udhëtonin ata persona që testoheshin dhe dilnin negativë.
Sipas mediave, mutacioni i ri i virusit po zëvendëson variantet e tjera në qarkullim dhe është më shumë i tansmetueshëm. Megjithatë ende nuk ka prova nëse është më shumë i rrezikshëm.
Gjithashtu ekspertët thonë se vaksinat e zhvilluar kohët e fundit kanë gjithsesi efekt edhe me variantin e ri.