Aktualitet “Vasilikia” me 700 kg hashash, ja cila ishte “rruga e fundit” që...

“Vasilikia” me 700 kg hashash, ja cila ishte “rruga e fundit” që fundosi Balilin

Rreth 48 orë pas vetëdorëzimit në polici, Klement Balili pritet që të dalë përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” akuzohet për trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e Grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrje në Grupin e Strukturuar Kriminal”, “Refuzim për deklarimin e pasurisë” pranë ILDKPI dhe “Pastrim i Produkteve të Veprës penale”.

Pronari i resortit luksoz “Santa Quaranta” ka qenë një nga emrat kryesorë në listën e DEA-s amerikane për trafikun e drogës drejt Greqisë, ndërsa ka dyshime të forta se përveç hashashit, Balili është i lidhur me kalimin tranzit të kokainës në Shqipëri.

Por kush ishte “rruga” e fundit e ngarkesave me hashash që pritet të “fundosë”, Klement Balilin në gjyq?

Pak para se çështja Balili të kthehej në një “patate të nxehtë” për politikën dhe drejtësinë, në fundin e prillit 2016, “Eskobari i Ballkanit” transportoi drejt Greqisë, 678,500 kilogramë kanabis të papërpunuar dhe sipas dosjes hetimore greke që e zotëron tashmë Prokuroria, këtë operacion e ka kryer falë një pakti me koordinatorin e transportit Georgio Alifandi, asistuar nga Ksenofonda Anagnostopulo.

Sipas fashikujve hetimorë që janë zbardhur në media, hashashi i dorëzuar nga Balili është ngarkuar edhe për llogari të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale.

Ndërkohë, “Eskobari” ka bërë të mundur gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm të saj drejt vendeve të Evropës perëndimore përmes Greqisë.

Për operacionin e fundit të Balilit, autoritetet greke kanë dorëzuar prova të mjaftueshme për të treguar se hashashi është ngarkuar në një skaf me emrin “Vasiliki” në bregdetin shqiptar pranë Sarandës dhe më pas është dërguar në Greqi, me mjetin lundrues që ka kaluar nga ana perëndimore e ishullit të Korfuzit.

Njerëzit e Klement Balilit, dy peshkatarët Petro Dalanaj, 59 vjeç dhe Kleanth Palaj, 22 vjeç, e kanë fshehur drogën në një zonë të pabanuar në brigjet e Greqisë së veriut.

Sipas fashikujve hetimorë, peshkatarët transportues mbërritën në ishullin Zakinthos në orët e para të mëngjesit të 8 majit 2016, ku duhej t’i dorëzonin drogën 3 anëtarëve grekë të organizatës kriminale, të cilët udhëhiqeshin nga Georgio Alifandia.

Pasi dorëzuan drogën, ata vijuan rrugën me skaf në drejtim të Patrës, aty ku edhe u arrestuan nga policia greke.