Dy javë nga samiti i Londrës, Franca do t’i paraqesë sot aleatëve kërkesat e saj për të ndryshuar procesin e vendimmarrjes në NATO, konsideruar nga Emmanuel Macron në gjendje “të vdekjes cerebrale” me mosangazhimin e SHBA-së.
Ky vlerësim i presidentit francez dhe kritika e lidershipit amerikan kanë tronditur NATO-n.
“Ne nuk pajtohemi aspak me vlerësimin e bërë nga presidenti francez, Macron për NATO-n”, theksoi ambasadorja amerikane, Kay Bailey Hutchison.
“Presidenti Macron ka gjëra të vështira për të thënë (…) Ai ka marrë përsipër rrezikun e humbjes së popullaritetit dhe merr këtë përgjegjësi,” shtoi ajo.
”NATO-s i nevojitet sot të rimendojë strategjinë e saj”, theksoi sekretarja franceze e shtetit për Çështjet Europiane, Amelie de Montchalin.
”Kreu i diplomacisë franceze, Jean-Yves Le Drian duhet t’i japë Aleancës sqarime dhe duhet të formulojë kërkesa dhe propozime gjatë një takimi me homologët në Bruksel”, theksuan burime diplomatike.
Dy faza përgatitore janë parashikuar pas mbërritjes së sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
E para do të fillojë në orën lokale 16:00 (15:00 GMT) dhe do t’i kushtohet përgatitjes së samitit të Londrës më 4 dhjetor.
“E dyta do të jetë një darkë pune në orën 19:00 (18:00 GMT). Kjo do të mundësojë trajtimin e çështjeve strategjike, përfshirë hapësirën, një terren të ri për operacionet e mbrojtjes për Aleancën, anëtarët e së cilës kanë rreth 1 000 satelitë në orbitë dhe qëndrimin e NATO-s përballë fuqizimit të Kinës”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Asnjë deklaratë nuk do të mbahet në përfundim të këtij takimi”, shtoi ai.
Franca do të rikonfirmojë angazhimin e saj ndaj NATO-s. “Aleanca është e domosdoshme, por nuk do të ketë NATO të fortë pa një mbrojtje europiane të fortë”, ritheksuan zyrtarët francezë.