Aktualitet Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare/ Prokuroria e Tiranës nis hetimet për...

Vdekja e 3-vjeçarit në klinikën dentare/ Prokuroria e Tiranës nis hetimet për neglizhencë në trajtim mjekësor

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj klinikës dentare ku humbi jetën një fëmijë 3 vjeç në kryeqytet.

Organi i akuzës bën të ditur se ngjarja do të hetohet për veprën penale “neglizhencë në trajtimin mjekësor”.

Ngjarja e rëndë është referuar nga Komisariati Nr.4 te Prokuroria e Tiranës më datë 4 Tetor, ndërsa një ditë më pas organi i akuzës e ka regjistruar si procedim penal.

Hetuesit kanë sekuestruar kartelën stomatologjike të 3-vjeçarit.

Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së të miturit.

3-vjeçari dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e dozës së lartë të narkozës. Ndaj të miturit u injektua narkozë totale për shkak të ndërhyrjes në disa dhëmbë. Pas ndërhyrjes, fëmija nuk u zgjua dhe sipas familjarëve klinika dentare u tha ta merrnin fëmijën në shtëpi dhe se do të zgjohej më vonë.

Por i mituri nuk po reagonte dhe u dërgua në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.

Kanë qenë familjarët e fëmijës që denoncuan në polici klinikën dentare.