Teksa hetimet janë duke vijuar në lidhje me vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes.
Katër turistët rusë, të afërm me njëri-tjetrin u gjetën pa shenja jetë në shezlongët e pishinës së brendshme të një hoteli.
Grupi i turistëve mbërriti më 10 tetor në vendin tonë, ndërsa vizituan disa pika turistike. Prenotimin në hotelin e Qerretit e kishin bërë më herët, ndërkohë akomodimi i tyre u bë mbrëmjen e së premtes.
Sipas dëshmive të punonjësve të hotelit ata kishin kërkuar të përdornin saunën e cila ndodhet në katin e nëndheshëm të biznesit.
Natalia, Sergei vajza e tyre Ekaterina Burenkova dhe i fejuari i saj Nikita Belousov ende nuk dihet nëse kanë përdorur saunën, ndërsa trupat e tyre të pajetë u gjetën disa metra më tutje në afërsi të pishinës së brendshme nga punonjës të hotelit.
Për ngjarjen është vënë në dijeni dhe ambasada ruse, ndërsa përfaqësues të saj u paraqitën në mjekësinë ligjore për të mësuar më shumë mbi humbjen e jetës së 4 turistëve.