Gjenerali Manuel Antonio Noriega, ish–lideri ushtarak i Panamasë ka ndërruar jetën në moshën 83–vjeçare.
Noriega iu ishte nënshtruar së fundmi një operacioni pasi kishte pësuar hemorragji, pas një operacioni në tru.
Noriega u bë pjesë e fjalorit të ditës në vendin tonë për shkak të ish-kryeministrit Berisha.
Ky i fundit duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, e krahasonte pikërisht me Noriegën.
Edhe pse nuk ishte zgjedhur kurrë në krye të shtetit, Noriega u bë de fakto lider i Panamasë, duke shërbyer në një mandat 6-vjeçar si guvernator ushtarak i vendit, në vitet ‘80.
Fillimisht ai ishte një mbështetës i fuqishëm i Shteteve të Bashkuara dhe u kthye në aleatin kyç të Uashingtonit në përpjekjet e tij për të mundur influencën e komunizmit në Amerikën Qendrore.
Por më vonë Amerikës iu sos durimi nga rritja e pushtetit të tij represiv brenda Panamasë dhe nga të dhënat se po u shiste informacione shërbimeve sekrete të huaja, pa përmendur këtu lidhjet me organizatat e trafikut të drogës.
Në këtë mënyrë, ai u hoq me forcë kur trupat amerikane pushtuan vendin në vitin 1989 dhe më vonë u burgos në SHBA, për akuzat e drogës dhe pastrimit të parave.
Ai e shpenzoi pjesën tjetër të jetës në burg, më vonë në Panama për vrasje, korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Megjithatë, ish–lideri doli nga burgu në Janar për t’u përgatitur për operacionin në fillim të muajit Mars, për heqjen e tumorit në tru.
Ai iu nënshtrua një tjetër operacioni pas gjakderdhjes cerebrale, por vdiq gjatë orëve të vona të së hënës (me orën lokale), në Panama City. Lajmi u dha nga Sekretari i Shtetit për Komunikimin, Manuel Domingue.