Një ish-ministër francez dhe ish-president i rrethit administrativ të Parisit Haut-de-Seine është bërë një nga politikanët e parë të profilit të lartë që vdiq nga COVID-19.
Patrick Devedjian, presidenti 75-vjeçar i këshillit të departamentit të Hauts-de-Seine, u përkeqësua nga koronavirusi 3 ditë pasi njoftoi se ndihej mjaft i lodhur.
Devedjian, baba i katër fëmijëve, ishte në spitalin privat Antony, në jug të Parisit, pasi u trajtua atje që nga e mërkura. Nuk dihej se kishte sëmundje të tjera. “Gjendja e tij u përkeqësua të shtunën”, tha një burim i familjes. Mjekët e mbajtën atë në një gjendje kome artificiale, por nuk mbijetoi.
Devedjian ishte në gjendje të komunikonte me ndjekësit e tij edhe pasi ishte prekur nga koronavirusi. “Unë jam prekur nga epidemia, prandaj dëshmoj drejtpërdrejt për punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe të gjithë stafit të infermierëve.
I lodhur, por i qëndrueshëm falë tyre, u dërgoj një falenderim shumë të madh për ndihmën të vazhdueshme për të gjithë pacientët”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.
Këshilli i Hauts de Seine – një nga më të mëdhenjtë në Francë dhe me qendër në periferinë në Paris të Nanterre – konfirmoi vdekjen e Devedjian të dielën, duke thënë se ky lajm iu kishte ardhur si një tronditje e madhe.