Ivan Milat, i njohur ndryshe si vrasësi më i madh serial në Australi, ndërroi jetë në burg, pasi qëndroi për më shumë se 23 vite pas hekurave, për vrasjen e 7 turistëve nga vitet 1980-1990. 74-vjeçari Milat, ishte dënuar me 7 burgime të përjetshme në vitin 1996 për vrasjen e dy britanikëve, tre gjermanëve dhe dy australianëve, në një çështje që tronditi mbarë botën.
Një zëdhënësi i burgjeve në New South Wales u shpreh se Milat ndërroi jetë të dielën, pa dhënë detaje për shkaqet e vdekjes. Mediat australiane raportojnë se vrasësi serial prej kohësh i ishte nënshtruar kimioterapisë, pasi ishte diagnostikuar me kancer.
Ish punonjësi i rrugëve, asnjëherë nuk e pranoi se ishte vrasësi i djemve dhe vajzave të reja, disa prej të cilëve edhe u abuzuan seksualisht. Trupat e ekskursionistëve të rinj u gjetën në një baltovinë në pyllin e New South Wales. Milat, gjithashtu dyshohej dhe për disa çështje të tjera njerëzish të humbur dhe vdiq duke lënë pas dyshimin se kishte bërë më shumë krime nga sa ishte dënuar.