Kryesore Vritet lideri i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi

Vritet lideri i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi

Udhëheqësi i ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi besohet se është vrarë në Siri, në një operacion ushtarak nga forcat e SHBA. CNN raporton së al-Baghdadi është vrarë në Siri, por lajmi do konfirmohet pas analizave të ADN-së.

Presidenti Donald Trump shkruan në Twitter: “Diçka e madhe sapo ka ndodhur”.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tregon për mediat se baza ku fshihej al-Baghdadi u bombardua gjatë natës, por nuk konfirmon nëse operacioni ishte i suksesshëm apo jo. Edhe një komandant i një prej fraksioneve militante shprehet se Baghdadi mbeti i vrarë në një sulm në mesnatë, në provincën Idlib, pikërisht në fshatin Brisha, pranë kufirit turk, ku u përfshinë helikopterë, avionë bombardues dhe trupa tokësore.

Gjithashtu, lajmi për vrasjen e liderit të ISIS konfirmohet dhe nga burime të inteligjencës së Irakut dhe Iranit. Gazeta amerikane “Newsweek”, e cila e dha e para lajmin, tregon se e mori informacionin nga një zyrtar i lartë i ushtrisë. Pentagoni ende nuk ka dhënë një koment, por pritet që presidentit Donald Trump të bëjë një deklaratë të rëndësishme pasditen e së dielës.

Përgjatë viteve të fundit, Abu Bakr al-Baghdadi është raportuar disa herë si i vdekur, por ai ka publikuar më pas video dhe audio që provonin se ishte ende gjallë.