Një karikaturist suedez, i cili realizoi një karikaturë të profetit Muhamed, ku kokën e tij e kishte lidhur me trupin e një qeni, ka humbur jetën në një aksident me makinë, raportuan mediat lokale.
Lars Vilks raportohet se po udhëtonte me një makinë civile të policisë, që u përplas me një kamion pranë qytetit Markaryd në jug të Suedisë. Në aksident humbën jetën edhe dy efektivë policie, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i plagosur.
75-vjeçari jetonte nën mbrojtjen e policisë, pasi ishte kërcënuar me vdekje për shkak të karikaturës, së publikuar në vitin 2007. Myslimanët e quajnë blasfemi portretizimin e profetit Muhamed dhe shumë besimtarë në të gjithë botën shprehën indinjatën e tyre për veprën e Vilks.
Policia tha se ishte ende e paqartë dinamika e aksidentit, por konfirmoi se nuk ka asnjë indicie që të ngrejë dyshime për ndonjë atentat të organizuar kundër Vilks, ose për përfshirjen e personave të tjerë në aksident.
Pas publikimit të karikaturës, kryeministri i atëhershëm suedez, Fredrik Reinfeldt, u takua me ambasadorët e 22 shteteve myslimanë, në përpjekje për të ulur tensionet e krijuara.
Më pas, Al Qaeda në Irak ofroi 100 mijë dollarë shpërblim për vrasjen e Vilks. Në vitin 2015, ai mori pjesë në një debat për lirinë e fjalës në Kopenhagen, Danimarkë, kur u sulmua nga persona të armatosur. Gjatë sulmit mbeti i vrarë një regjisor.