Aktualitet Dorëzohet në polici burri vrasës i 18-vjeçares shqiptare në Mal të Zi

Dorëzohet në polici burri vrasës i 18-vjeçares shqiptare në Mal të Zi

Autori i vrasjes së 18-vjeçares shqiptare në Mal të Zi Shejla Bakija 18 vjeç, është vetëdorëzuar mbrëmjen e së dielës në polici.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta malazeze Vijesti. 28-vjeçari Ilir Dokaj u vetëdorëzua pas negociatave. Avokati i tij ka konfirmuar gjithashtu se autori ndodhet tashmë i arrestuar.

Krimi i rëndë ndodhi më 30 Shtator, kur Ilir Dokaj vrau me armë gruan e tij shqiptare në Tuz të Malit të Zi, Shejla Bakija dhe plagosi babanë e saj, Shaban Bakija 42 vjeç.

Më 26 Gusht, Shejla kishte bërë denoncim se Ilir Dokaj po e kërcënonte. Megjithatë ndaj këtij të fundit autoritetet aplikuan vetëm gjobë.

Sipas një raporti që disponon gazeta Vijesti, Ilir Dokaj kishte kërcënuar shqiptaren dhe familjen e saj duke i thënë: “Do të derdhet gjak për këtë çështje, jeta juaj është në duart e mia”.

E megjithatë, prokurori vlerësoi se nuk kishte elementë të veprës penale dhe Ilir Dokaj u dënua vetëm me gjobë.

Ndërkohë, pas ngjarjes së rëndë, Prokuroria ka nisur hetimet për të shqyrtuar veprimet e prokurorit.