Profesor Luc Montagnier, laureat i çmimit Nobel për studimet mbi AIDS-in, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare në Neuilly-sur-Seine, pranë Parisit.
Vitet e fundit ai ishte bërë një referencë për No vax dhe një mbështetës i fortë i hidroksilklorinës si një kurë për Covid.
Lajmi për vdekjen e tij qarkullonte prej disa orësh në rrjetet sociale, por tashmë ka mbërritur konfirmimi nga mediat franceze.
Ishte faqja e internetit “France Soir” ajo që njoftoi vdekjen e virologut francez të mërkurën, por lajmi nuk ishte konfirmuar zyrtarisht. “Doktor Gérard Guillaume, një nga bashkëpunëtorët e tij më besnikë, na tregoi se u largua i qetë, i rrethuar nga fëmijët e tij”, thuhej në shënim.
Pas “France Soir, edhe profesori francez Didier Raoult njoftoi vdekjen e Montagnier: “Ne humbëm një njeri, origjinaliteti, pavarësia dhe zbulimet e ARN-së së të cilit kanë lejuar krijimin e laboratorit që izoloi dhe identifikoi virusin e SIDA-s”. Raoult, një profesor kontrovers në spitalin e Marsejës, ishte bërë jashtëzakonisht i popullarizuar në ditët e para të pandemisë për recetat e tij alternative në trajtimin e koronavirusit me bazë hidroksilklorine. Këto zbulime, vazhdon ai, i dhanë Montagnier “lavdinë, çmimin Nobel si dhe armiqësinë e paparë të kolegëve të tij. Vëmendja që iu kushtua hipotezave të tij të fundit ishte joproporcionale”.
Ai lindi më 18 gusht 1932 në Chabris, një qytet i vogël i vendosur në Center-Val de Loire, Montagnier u bë drejtor i Qendrës kombëtare kërkimit shkencor dhe i njësisë së onkologjisë virale të Institutit Pasteur në Paris, ku në 1983 së bashku me Francoise Barré-Sinoussi zbuloi virusin HIV. Për këtë zbulim të jashtëzakonshëm Montagnier fitoi çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 2008. Shkencëtari drejtoi gjithashtu Qendrën për Biologjinë Molekulare dhe Qelizore, në Kolegjin Queens të Universitetit të Nju Jorkut, dhe një institut kërkimi në Universitetin Jiao-tong në Shangai.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Montagnier ka marrë çmime të panumërta. Megjithatë, në dekadat e fundit të jetës së tij, profesori ka folur shumë për veten e tij se ka përkrahur dhe mbështetur shumë teori joshkencore. Nga deklaratat e tij në 2010 në lidhje me HIV-in, i cili mund të asgjësohej me një skemë të veçantë ushqimore, deri te kërkimet mbi “kujtesën e ujit”, parimi mbi bazë të homeopatisë dhe mbi përdorimin e papajës kundër Sars dhe Parkinsonit. Montagnier ka mbështetur shumë teori si atë të lëvizjeve No vax, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e vaksinave. Mbështetja e tij për Stamina-n dhe teoritë e konspiracionit në lidhje me Covid-in janë diskutuar shumë.