Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryebashkiakun e Janinës, Moses Elisaf, i cili është njëkohësisht edhe përfaqësues i komunitetit hebraik në këtë qytet. Në qendër të bisedës mes homologëve ishin mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes bashkive në disa fusha.
Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi kryetarit të Bashkisë së Janinës “Kullën e Sahatit” dhe theksoi se Tirana dhe Janina kanë një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, dhe se historitë njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll e diplomaci mes shteteve dhe qyteteve.
“Tirana dhe Janina kanë pasur një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, ndaj jam shumë i lumtur që me kryetarin e ri mund ta rifillojmë këtë miqësi dhe bashkëpunim. Kur jam larguar për herë të parë nga Shqipëria, Janina ishte vendi i parë që më ka pritur. Besoj se këto histori njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll dhe çdo diplomaci mes shteteve edhe qyteteve tona”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi kontributin e menjëhershëm të Greqisë, por edhe të Izraelit, pas tërmetit të 26 nëntorit duke sjellë ndihma të ndryshme si dhe ekipe të kërkim-shpëtimit. Veliaj tha se ky moment ishte treguesi më i mirë se humanizmi që na bashkon është më i fortë se çfarëdo lloj politike tjetër apo debati që mund të kemi në ditë normale.
“E kemi falenderuar edhe qeverinë greke, edhe qeverinë izraelite, miqtë tanë që na kanë ndihmuar shumë. Ishte një solidaritet i jashtëzakonshëm dhe besoj se në kushte të tilla, kur zbulon se në ditën e nevojës, fqinjët grekë, italianë etj. janë aty për ty, kupton se humanizmi që na bashkon është më i fortë se çdo politikë apo debat që mund të kemi në ditë normale. Në ditën e fatkeqësisë zbuluam kush janë miqtë dhe fqinjët tanë të vërtetë, ndaj të falenderoj shumë”, tha kryebashkiaku, pa harruar të përmendë edhe miqësinë që bashkon shqiptarët me komunitetin hebre.
“Ajo që më vjen mirë është se edhe si përfaqësues i komunitetit hebraik të Janinës, mezi pres që një pjesë e asaj historie të lavdishme të qytetit tonë, për strehimin e hebrenjve, për mbajtjen e besës dhe ndihmën ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, ta tregojmë si një moment reflektimi dhe për kohët e vështira që po kalojmë tani, me situatën pas tërmetit”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Janinës, Moses Elisaf, theksoi se ky është hapi i parë drejt forcimit të lidhjeve mes dy qyteteve.
“Është një nder dhe kënaqësi e madhe të takohem me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, hapi i parë drejt forcimit të lidhjeve mes dy qyteteve dhe vendeve tona, për të shprehur mbështetjen tonë ndaj popullit shqiptar pas tërmetit. Bashkia jonë ka kontribuar në rajonet e prekura për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së qytetarëve në ato zona. Diskutuam me kryebashkiakun Veliaj për historinë mes dy qyteteve dhe historinë e komunitetit hebre të Janinës dhe Shqipërisë, lidhjet e ngushta mes këtyre dy komuniteteve në të kaluarën. Shpresoj që kryetari do ta vizitojë Janinën në muajt në vijim, është shumë e rëndësishme t’ju mikëpresim dhe njëkohësisht të vazhdojmë përpjekjet tona në funksion të thellimit të marrëdhënieve tona”, përfundoi ai.