Politika Veliaj: Më është dashur të pastroj monumentet nga lotot e deputetëve të...

Veliaj: Më është dashur të pastroj monumentet nga lotot e deputetëve të Ilir Metës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se nuk ka asgjë personale me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, por theksoi se të gjithë duhet të jenë të ndershëm kur flasin për demokracinë dhe pluralizmin politik në vend. Duke iu rikthyer deklaratën së bërë gjatë ditës së sotme në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të Konferencës së Pezës, Veliaj tha se kushdo që bën thirrje për respektim të pluralizmit politik duhet ta respektojë atë në çdo moment dhe jo vetëm në deklarata dhe se gjerat duhen thënë ashtu siç janë. Ai solli në vëmendje se si kryetar bashkie, për të çliruar hapësirat publike dhe në mënyrë të veçantë monumentet e që evokojnë historinë e luftës së popullit shqiptar, i është dashur të përballet edhe me deputetë të ish – partisë së presidentit Meta.

“Unë s’kam gjë personale dhe kush më njeh e di që unë me njerëzit bëj debat vetëm për çështje pune. Edhe në këtë rast nuk kam gjë personale, thjesht them që gjërat duhen thënë siç janë. Një kryetar bashkie merr shumicën e kohës të pastrojë monumentet nga bingot, bastet dhe llotot e deputetëve të Ilir Metës, duhet ta themi. Pra, o jemi patriotë dhe o jemi me partizanët, dhe o e çmojmë luftën, ose ne nuk mund të themi tjetër gjë në Pezë, ndërkohë që të gjithë njerëzit e partisë të jenë duke zaptuar monumentet. Rasti i Vojo Kushit, kur deputetët e LSI i dilnin përpara fadromave… Tani unë e kuptoj që Astiri doli në modë, e kuptoj kur e bën një militant dhe mitingash partie, por kur e bën një deputet. Kështu që, sot kisha një apel që ne këto gjëra që i themi këtu, duhet t’i respektojmë, sidomos kur trumpetojmë që prirja jonë autentike, antifashiste evropiane, qoftë edhe në vende si Peza. Te bësh analogji që sot me demek s’kemi pluralizëm dhe unë thashë, përgjigja ime ndaj presidentit ishte: Patjetër! Por pluralizëm jo vetëm në tavolinë, jo vetëm në fjalime, por pluralizëm aty ku bëhen betejat, disa beteja janë në kutitë e votimit. Të thuash duam pluralizëm dhe t’i shmangesh betejave, kjo kërcet, këto ishin dy sqarime që unë doja ti bëja sot me presidentin”, tha Veliaj.