Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi nga studio e emisionit “ Opinion” në Tv Klan se në 30 Qershor do të ketë zgjedhje edhe nëse opozita nuk do të marrë pjesë.
Veliaj, tha se Partia Socialistë nuk do të ndalë së ftuari qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Unë nuk kandidoj për të marrë pëlqimin e opozitës. Unë kandidoj për të marrë uratën e zgjedhësve. Nëse opozita nuk vjen është turpi i tyre. Unë jam betuar një muaj pasi u votova në zgjedhjet e qershorit 2015. Do të thotë që mbas betimit tim në 4 vjet pra në 30 korrik skadon mandati im. Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të firmosë çdo ditë. Unë kam një bllok tre orë vetëm firmos shkresa nga toka që shpronësoj për varreza, nga qumështi që shkon nëpër kopshte e çerdhe, nga pemët që do mbillen, nga ujësjellës kanalizimet, nga mbledhjet e bordit që caktohet si duhet të zgjerohet Bovilla. Pra në dallim nga ministria që ka një titullar politik dhe sekretar të përgjithshëm që menaxhon administratën, menaxheri i qytetit është i njëjti person, kryetari i Bashkisë. Pra, në momentin që kryetari i Bashkisë nuk bën punën e vet do të thotë që nuk shkon nesër furnizimi në kopshte e çerdhe”, u shpreh Veliaj.
Veliaj e quajti të papranueshme sjelljen e opozitës dhe ajo nuk mund ti imponohet një shumice të ligjshme të dalë nga vota.
“Ky është bullizëm. Të gjithë prindërit që na ndjekin i mësojnë fëmijët e tyre. Nëse tek klasa jote është një pakicë, një rrugaç, një lac i vogël që ju detyron të bëni gjëra kundër vullnetit tuaj, ju do grupoheni bashkë do i thërrisni drejtoreshës, i thoni mësuese, pra të bërit me dhunë të një dëshire, të një minorance nuk mund të jetë rend shoqëror, nuk mund të pranohet si normë, ndaj ajo që thoni është le të bëjmë atë gjë që shqiptari ka bërë tipikisht që është shprehja hapi rrugë budallait. Si mund t’iu hapim rrugë budallait”, tha kreu i bashkisë.