Erion Veliaj ishte në Komisionin e Ligjeve si kreu i Shoqatës për Autonomi Vendore, ku kërkoi mbështetje nga buxheti i vitit 2020 për disa projekte të Bashkisë së Tiranës.
Duke folur për nismat kryesore të Bashkisë, Veliaj kërkoi mbështetje për kalimin e Aeroportit të Rinasit brenda territorit administrativ të Tiranës dhe TVSH zero për autobusët dhe automjetet elektrike.
“Nuk mundet aeroporti i Shqipërisë të jetë në Fushë-Krujë. Dhe nuk mundet rruga lidhëse të jetë në Vorë. Për Bashkinë e Vorës dhe Krujës, Rinasi është në periferi të vëmendjes së vet, fizike dhe mundësive”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë kërkoi edhe një ligj të veçantë për Tiranën, si kryeqytet. “Ka një ligj për Parisin, Romën, ka edhe një ligj për Prishtinën. Konsumi në kryeqytet është shumë më i madh. Rrugët e Tiranës buxhetohen për banorë, por në fakt duhet buxhetuar për përdorues. Kostot e qytetit nuk llogariten më për banorë, por për përdorues”.