Së paku për kryebashkiakun Erion Veliaj, nuk ka asgjë konspirative në mostakimin mes tij dhe kreut të qeverisë së Kosovës, ditën e vizitës së tij në Tiranë pak ditë më parë.
“Ishte një takim i parë kortezie. Ne kishim 100-vjetorin e Tiranës, me një ngarkesë të jashtëzakonshme, kurse ai pati disa takime, ku disa nuk përfunduan në orar, kështu që ndodhi për mospërputhje agjendash”, tha njeriu që drejton Tiranën në një intervistë për Sokol Ballën në Real Story.
“Jam i sigurt se do kemi një mundësi tjetër. Ajo që mendoj është që për një takim të parë kortezie, ndoshta i organizuar pak me ngut, janë gjëra që falen, kështu që nuk ka asnjë hatërmbetje”, shtoi Veliaj, duke tentuar të fashisë çdo përfolje paragjykuese.