Aktualitet Veliaj: Qëndroni në shtëpi, nuk lejohen grumbullimet; rrugët kryesore duhet të jenë...

Veliaj: Qëndroni në shtëpi, nuk lejohen grumbullimet; rrugët kryesore duhet të jenë të lira

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi për sigurinë e tyre dhe të gjithë komunitetit. Nga mbledhja e shtabit të emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ai i kërkoi Policisë Bashkiake që të vendosë qendra zëri në automjete ku të bëhet një thirrje qytetarëve për të qëndruar në shtëpi.

Për këtë arsye nuk do të lejohen as grumbullimet e qytetarëve. “Simultanet e shahut pezullohen te Liqeni, Çajupi, 1 Maji; do të duhet të presin pasi të kalojë kjo situatë. I kërkoj Policisë Bashkiake të bëjë patrullime në këto zona, parqe e lulishte. Bashkë me strukturat mbështetëse, i kërkojmë Policisë Bashkiake të vendosë aparatura për të bërë informimin e publikut me zë”, tha Veliaj.

Për të lehtësuar qëndrimin e qytetarëve në shtëpi, Bashkia e Tiranës ka pezulluar përkohësisht gjobat në hapësirat rezidenciale për të gjithë shkeljet për parkim të gabuar. Fokusi i punës së policisë bashkiake do të jetë mbajtja e rrugëve kryesore të lira për mjetet e emergjencës, ndërsa do të ketë tolerime për zonat rezidenciale.

“Kam lënë porosi që të mënjanohen shkeljet e vogla të parkingjeve në zonat rezidenciale. E kuptoj që është një situatë ku do kemi një sens tolerance. S’do tolerojmë dot në akset kryesore por besoj se është mëse arsyeshme që në zonat rezidenciale shkeljet e parkimit të tolerohen dhe gjithë fokusi të jetë te akset kryesore për t’u dhënë liri mjeteve që do të merren me ketë punë të emergjencave”, tha Veliaj.

Ndërkaq, të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës që nuk merren me ofrimin shërbimeve urgjente, do të jenë pushim.