Aktualitet Vëllai iu arrestua për drogë, pezullohet nga detyra zyrtari i policisë në...

Vëllai iu arrestua për drogë, pezullohet nga detyra zyrtari i policisë në Dibër

Është pezulluar nga detyra shefi i sektorit të Qarkullimit të Dibrës, Robert Aga.

Ndërkohë, vëllai i tij Pajtim Aga u arrestua gjatë një operacioni antidrogë nga policia për lëndë narkotike.

Emri i shefit të Qarkullimit të Dibrës, Robert Aga ka dalë edhe në përgjimet e dosjes “184” për shitblerjen e votës në zgjedhjet e 2016 në Dibër.

Në përgjime Robert Aga, flet me Damian Gjiknurin, Xhemal Qefalinë, Ulsi Manjën e Saimir Tahirin për të marrë një pozicion më të mirë pune pas ndihmës që i ka dhënë PS-së në zgjedhjet vendore. Deri në momentin e zgjedhjeve ai ishte Drejtori i Policisë Dibër.

Partia Demokratike e ka akuzuar disa herë Agën për implikim në aktivitet kriminal, kultivim e trafik droge.

Ndërsa, vëllai i tij Pajtim Aga ishte pjesë e grupit me 7 të arrestuar që u godit mbrëmjen e djeshme, të cilët merrnin lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në Greqi dhe e sillnin në Shqipëri përmes pikë kufitare të Konispolit, nëpërmjet dy personave që jetonin në Gjirokastër.

Më pas, lënda narkotike transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për t’u nisur më vonë në një qytet në veri të vendit dhe për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë.