Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur sot masat fillestare që janë marrë nga Komisioni Europian për të ndihmuar me krizën e krijuar nga COVID-19.
Von der Leyen u ka bërë thirrje vendeve anëtare që t’i ndajnë pajisjet mjekësore me njëri-tjetrin, dhe që nuk do të lejohen t’i shesin ato jashtë BE-së pa autorizimin specifik të bllokut.
Po ashtu, presidentja e Komisionit Europian bën të qartë se është mëse e domosdoshme që të mos pengohet qarkullimi i mallrave që janë të domosdoshme për prodhimin e këtyre pajisjeve, apo për të furnizuar spitalet me pajisje mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Fjala e plotë e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von derl Leyen.
Përhapja e koronavirusit në BE është një sfidë për sistemet tona shëndetësore.
Duhet të mbrojmë punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë të mbrojtjes kundër virusit.
Duhet t’i ruajmë me pajisje mbrojtëse, maska, dorashka, pajisje të tjera mbrojtëse.
Punojmë në tre frone: Së pari, po punojmë me industrinë për të shtuar prodhimin.
Së dyti, duhet t’i mbajmë brenda BE-së pajisjet mbrojtëse që na nevojiten.
Prandaj, sot kemi miratuar një skemë që autorizon eksportin e pajisjeve mbrojtëse.
Kjo do të thotë që këto mallra mjekësore nuk do eksportohen jashtë BE-së pa një autorizim të qartë nga qeveritë e BE-së.
Kjo është një masë e drejtë, sepse ato pajisje na nevojiten për sistemet tona të shëndetësisë.
Së treti, duhet t’i ndajmë pajisjet brenda BE-së. Shitja e pajisjeve mbrojtëse nga një shtet në tjetrin brenda BE-së nuk është gjë e mirë.
Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Asnjë vend s’mund ta prodhojë e vetme atë që i nevojitet.
Sot është Italia ajo që ka nevojë për sasi të mëdha pajisjesh mjekësore.
Por në pak javë, do ta duan edhe vende të tjera.
Duke prodhuar më shumë, duke e mbajtur në BE, dhe duke e ndarë me njëri-tjetrin, mund të mbrojmë punonjësit e shëndetësisë, pacientët, si dhe të ndalojmë përhapjen e virusit.
Prandaj e propozoj sot këtë zgjidhje europiane.
Gjithashtu, mallrat duhet të vazhdojnë të këmbehen pa pengesa nëpër Europë.
Imagjinoni, teksa shtojmë prodhimin e pajisjeve mjekësore, fabrikat mund të mos marrin dot në kohë lëndët që u duhen.
Me mijëra shoferë kamionësh e autobusësh kanë mbetur të mbyllur brenda shteteve të tjera, të bllokuar nëpër parkime.
Kështu kanë krijuar edhe më shumë rreziqe shëndetësore, si dhe kanë çrregulluar zinxhirin e furnizimit.
Nëse nuk marrim masa tani, dyqanet do të nisin të përballen me vështirësi për t’u furnizuar mallra që vijnë nga vende të tjera brenda tregut të përbashkët.
Në këtë çast krize, është mëse e rëndësishme që t’i bëjmë tregjet e brendshme të vazhdojnë.
Masat që merren në nivel kombëtar mund të jenë efektive vetëm nëse puna bashkërendohet me vendet fqinje, sidomos në zonat kufitare.
Komisioni Europian po punon me qeveritë kombëtare në të gjitha frontet.
Nesër do të miratojmë nismën për prokurimet e përbashkëta publike midis vendeve anëtare, për analiza verifikimi dhe ventilatorë.
Këto na nevojiten shumë për pacientët në të gjithë Europën.
Nesër do të paraqesim gjithashtu udhëzime për masat që duhet të ndjekin qeveritë në kufi.
Mbrojtja e shëndetit të njerëzve nuk duhet të bllokojë mallra dhe produkte jetike që u nevojiten pacientëve, spitaleve, fabrikave dhe dyqaneve.
Do t’ia dalim vetëm nëse punojmë bashkë, dhe me shpejtësi, për një përgjigje të bashkërenduar.
Këtë e kërkon sfida me të cilën po përballemi.