Mijëra njerëz në zonën e shkatërruar nga lufta në Mianmarin perëndimor nuk dinë asgjë në lidhje me koronavirusin, sepse ata nuk kanë pasur akses në internet për një vit, shkruan CNN.
Qershorin e kaluar, qeveria e Mianmarit e udhëhequr nga Aung San Suu Kyi, mbylli internetin në nëntë qytete për shqetësimet se ishte duke u përdorur për të ndezur përleshjet midis ushtrisë dhe rebelëve.
Në maj, interneti u rivendos në një qytet, por tetë të tjerë, me rreth 800,000 njerëz, janë ende nën bllokada informacioni. Human Right Watch dhe Amnesty International pretendojnë se kjo i vë njerëzit në rrezik. Dhe jo vetëm sepse ata nuk mund të marrin informacion në lidhje me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, por edhe sepse nuk dinë asgjë për koronavirusin.
“Me konfliktin midis Mianmar dhe ushtrisë Arakan në Rakhine State në mes të një pandemie, është e rëndësishme që qytetarët të marrin informacione se si ata mund të qëndrojnë të sigurt,” tha Linda Lakhdir, këshilltare juridike në Human Right Watch.
Deputeti Htoot May tha të dielën se shumë njerëz që jetojnë në Rakhine dhe në Chin nuk po marrin njoftimet e autoriteteve shëndetësore që qarkullojnë në “Facebook”, aplikacionet e mesazheve dhe faqet e internetit të qeverisë.
“Kur i pyes njerëzit në zonën time elektorale nëse ata janë të vetëdijshëm për COVID-19, unë duhet t’ua shpjegoj pandeminë globale atyre që nga fillimi. Unë duhet t’u shpjegoj atyre se çfarë është distancimi shoqëror dhe si të praktikohet higjiena e duhur e duarve. Ata nuk kanë frikë nga COVID-19 sepse nuk dinë për të, në këtë fazë ata janë shumë më të shqetësuar për luftimet”, tha Htoot May.
Në Mianmar, deri më tani janë zbuluar 292 raste të infeksionit, gjashtë persona kanë vdekur.