Kreu i Grupit parlamentar të PS-së, ka komentuar vendimin e deputetes së PD-së, Rudina Hajdari e cila i tha sot “jo” djegies së mandatit.
Nga studioja e “ABC News”, Balla u shpreh se ato që tha Hajdari, në arsyetimin e qëndrimit të saj, qëndrojnë ndërsa theksoi se vendimi i PD-së dhe LSI-së për djegien e mandateve ishte vetëvrasje politike.
“Bashkë e dëgjuam atë që tha Rudina dhe nuk kam asnjë dyshim që është ajo që deputetja Hajdari nënvizon. Pra e gjithë kjo vendimmarrje është një vetëvrasje për PD e LSi dhe nuk kam asnjë kundërshtim që bien nën kundërshtim me interesat e Shqipërisë”, tha Balla.
Duke folur edhe për zëvendësimin e mandateve dhe futjen e deputetëve të rinj në Kuvend, balla u shpreh se ky veprim që po ndodh është tërësisht legjitim.
“Jemi në kushtet e zëvendësimit të mandateve. Një parlament legjitim që ka buruar nga zgjedhje që PD i ka njohur dhe LSI po ashtu. Shqiptarët na kanë votuar për të qenë përfaqësues të tyre dhe nuk mund të vendosin këta një ditë të bukur që këto shqiptarë nuk mund ti përfaqësojmë.
Prandaj është tërësisht legjitime zëvendësimi që po ndodh. Tradhtar nuk janë ata që marrin përgjegjësit e reja, por ata që kanë tradhtuar besimin e popullit”, u shpreh Balla.
Më tej ai është shprehur i bindur se PD dhe LSI do të hyjnë në zgjedhjet lokale të muajit qershor.
“Ajo që duan të them është se jam i sigurt që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe nuk kam asnjë dyshim. PD dhe LSI do marrin pjesë në zgjedhje.
Partitë politike janë organizata që janë krijuar për të marrë pjesë në zgjidhje.
Nuk kam asnjë qasje asnjë kontakt me drejtuesit e PD, por iu thash që partitë politike janë instrument në duar të qytetarëve.
Një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedh humbet arsyen për të qenë parti politike. Një parti që merr vendim e paimagjinueshëm për të mos marrë pjesë në zgjedhje ajo është e humbur.
Thirrja që kam ndaj PD dhe LSI është se ata duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet vendore.
Me këto zgjedhje do hyjmë me këtë kod që është. Lidhur me këtë Kod që kemi duhet të plotësojnë detyrimet që kanë”, shtoi Balla.
I pyetur nëse ka pasur kontakte me përfaqësues të opozitës pas vendimit për djegien e mandateve, Balla tregoi një bisedë që kishte pasur me një ish-deputet demokrat.
“Pa ia thënë emrin, por një ish-deputet me profil të lartë politik para dy ditësh më tha, me të drejtë, se në partinë time presin që tu jepet pushteti në tavolinë.
Kur e thotë një ish-deputet me profil të lartë politik në PD është për të ardhur keq.
Duan të hedhin në erë sistemin e demokracisë dhe kjo nuk pranohet dhe nuk ka për t’u pranuar kurrë. Me këta deputetët e rinj do vijomë në vijojmë një proces dialogu.
Por edhe me ata që janë jashtë ne do vijojmë dialogun por pa shkelur parimet tona”, tha kreu i Grupit Parlamentarë të PS-së.