Kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për mediet, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e PD-së të miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit duke njohur si organ drejtues Komisionin e Rithemelimit.
Alibeaj e konsideroi vendimin skandaloz ndërsa theksoi se ndaj gjyqtarit do ngrihet një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe se ky vendim do të ankimohet.
“Jemi njohur nga mediet lidhur me një vendim që ka marrë Gjykata e Tiranës. Në njohuritë e mia juridike, për mua është në nivelet e skandalit.
Pse? Për një arsye fare të thjeshtë sepse gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta, pavarësisht kësaj gjyqtari ka marrë në gjykim çështjes.
Për më tepër Partia Demokratike ka bërë ankim.
Dëgjoni me kujdes, ne kemi bërë një ankim për regjistrimin e Kuvendit të 11 Dhjetorit. Është Kuvendi i fundit. Gjyqtari i sotëm nuk ka patur një dosje. Ai ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje. Dhe e dyta pa pasur palë.
Do duhej të ishim edhe ne palë. Lind detyrimi për të paraqitur një kallëzim penal për shpërdorim detyre për gjyqtarin. Vendimi i sotëm, është një vendim ndaj të cilit ne do bëjmë një ankim.”– tha Alibeaj.