Komisioni i Venecias thotë se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë që të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, por mund të shqyrtojë nëse vendimi për shtyrjen e tyre nga ana e Presidentit Ilir Meta ishte Kushtetues, apo jo.
Çështja në Gjykatën Kushtetuese u ngrit nga Shoqata e Bashkive. Pas seancës së zhvilluar më 23 qershor të këtij viti, ku u dëgjuan pretendimet e të gjitha palëve, anëtarët e Gjykatës vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias, me 3 pyetje.
Pyetja e parë lidhej me juridiksionin dhe kompetencat për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor. Ekspertët e Venecias arrijnë në përfundimin se “kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore, por se kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor”.
Pyetja e dytë lidhej me dy parimet, atë të periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizimit politik dhe se cili prej tyre duhet të prevalojë.
Në projekt-opinionin ekspertët thonë se “parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizmit politik nuk ka gjasa të konfliktohen në vetvete me njëri-tjetrin, pasi ata shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që të mbizotërojë ai qëllim, ndërhyrja duhet të ketë një bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka një vlerësim të gjerë për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese”.
Pyetja e tretë lidhet me pasigurinë juridike, një çështje që u ngrit nga ana e Presidencës gjatë shqyrtimit të padisë në Kushtetuese. Venecia thotë se “autoritetet publike dhe partitë politike” nuk kanë siguruar “interesin më të lartë të votuesve” dhe arsyeja nuk vjen thjesht nga “veprimet” e tyre, por nga polemikat e vazhdueshme mes tyre, që shkojnë deri në pikën e gërryerjes së vetë legjitimitetit të demokracisë para elektoratit”.
Për këtë arsye, sipas ekspertëve “mbetet bashkëpërgjegjësi e autoriteteve publike dhe e gjithë spektrit politik për të rikthyer besimin në institucionet shqiptare dhe në proceset zgjedhore”.
“Kjo nënkupton përgjegjësinë e të gjithë këtyre palëve të interesuara për të promovuar dialogun politik midis të gjitha forcave politike, si dhe midis institucioneve kombëtare, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndër të tjera. Kjo nënkupton gjithashtu rivendosjen e një zgjedhjeje kuptimplote për votuesit. Të gjithë këta elementë janë parakushte sine qua non, por jo ekskluzive për zgjedhjet demokratike”, thotë Komisioni.
Edhe Strasburgu ka vendosur për zgjedhjet vendore
Venecia qëndron në linjën e Gjykatës së Strasburg, që në praktikën gjyqësore dhe interpretimet që kjo gjykatë i ka bërë artikullit të Konventës së të Drejtave të Njeriut mbi të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është vendosur standardi që ky rregull nuk mund të zbatohet për zgjedhjet për pushtetin vendor, siç ishin ato të 30 qershorit 2019 në Shqipëri.
Aplikimi i Artikullit 3, Protokolli 1 i Konventës vetëm për zgjedhjet për pushtetin qendror, pra zgjedhje legjislative është vendosur si standard që prej 2 marsit të vitit 1987 në çështjen “Mathieu-Mohin dhe Clerfayt kundër Belgjikës”.
“Artikulli 3 (P1-3) zbatohet vetëm për zgjedhjet e “legjislaturës”, ose të paktën për një nga dhomat e Parlamenteve që janë me dy dhoma, ose më shumë. “Legjislaturë” nuk do të thotë domosdoshmërisht Parlamenti, por duhet të interpretohet sipas strukturës kushtetutese të shtetit përkatës”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit, sipas të cilit Gjykata e Strasburgut rrëzonte padinë e aplikuesve.
Pas këtij rasti, paditë e tjera që pasuan me të njëjtin objekt, pra për shkelje të Artikullit 3, Protokolli 1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut u rrëzuan njëra pas tjetrës. Një e tillë është edhe ajo e “Salleras Llinares kundër Spanjës” në maj të vitit 1999. Luis Salleras Llinares pretendonte shkelje të këtij artikulli pasi për shkak të burokracive nuk kishte regjistruar dot në kohë listën e partisë së tij me kandidatët për këshilltarë bashkie në rajonin Cadaques.
Këtë praktikë Strasburgu e arsyeton me natyrën e pushtetit vendor, si pushteti më i afërt, që u ofron shërbimet bazike qytetarëve dhe kompetencat e të zgjedhurve të tij, që në gjykimin e Strasburgut nuk mund të kërcënojnë një sistem demokratik qendror dhe as mund të shkelin parimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.