Një ditë pasi SHBA vendosi të njohë si president të Venezuelës liderin e opozitës, Juan Guaido, edhe kryeministri Edi Rama pasoi në gjurmët e Donald Trump.
Por ndërkohë Venezuela rrezikon që të zhytet në një krizë shumë të rëndë, pasi kontrollin e ushtrisë vazhdon ta ketë sërish lideri Nicolas Maduro, pasuesi i Hugo Chavez.
SHBA i ka bërë thirrje ushtrisë që të mbështesë presidentin e ri.
Venezuela është në një rënie të lirë ekonomike nën drejtimin e Maduros.
Miliona njerëz kanë braktisur vendin pasi mungojnë edhe gjërat më bazike.
Por si është e mundur që u katandis në këtë pikë vendi më i pasur në Amerikën Latine?
Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës krudo, çka është një burim shumë i madh të ardhurash. Por pabarazia po vinte duke u rritur dhe një elitë e vogël kontrollonte gjithçka, ndërkohë që masat e varfëra nisën të zemërohen.
Vendi iu kthye socializmit në vitin 1999 dhe zgjodhi Hugo Chavez si president. Kampion i populizmit, ai shkëputi lidhjet me SHBA dhe u lidh me Kinën e Rusinë, prej të cilave mori miliarda dollarë borxh. Ai e drejtoi vendin deri në vitin 2013, kur edhe vdiq. Sërish sot shihet si hero i të varfërve.
Por qeveria e tij shpenzoi pa asnjë kriter për programe të ndihmës sociale dhe fiksoi çmimet për gjithçka. Pronat e fermerëve u cilësuan prona shteti dhe vendi u bë i varur plotësisht nga nafta që shiste jashtë.
Përpara se të vdiste, Chavez zgjodhi Maduron për ta zëvendësuar. Edhe ai vazhdoi praktikat e mëparshme, duke mos publikuar asnjë statistikë të besueshme.
Ndërkohë i vetmi mall i Venezuelës nisi të humbasë vlerën. Ulja e ndjeshme e çmimit të naftës e zhyti vendin në krizë. Qeveria e kishte të vështirë të kontrollonte çmimet.
Shteti vazhdonte të subvenciononte ushqimin për të varfërit dhe Maduro nisi të printojë para, duke e zhvlerësuar monedhën vendase në mënyrë të ndjeshme. Armiqësia me kompanitë ndërkombëtare bëri që emra të mëdhenj si Pepsi, General Motors apo United të largohen nga vendi.