Aktualitet Veprat penale nga punonjësit e administratës publike, marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH dhe...

Veprat penale nga punonjësit e administratës publike, marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH dhe Prokurorisë

Kryetari i Kontrolli i Lartë i Shtetit, z. Arben Shehu dhe Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela ditën e sotme 24 shtator 2020 nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve, përmes të cilit angazhohen të intensifikojnë luftën kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri. KLSH dhe Prokuroria e Përgjithshme angazhohen të rrisin bashkëpunimin për shkëmbimin e informacioneve me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve, që përbëjnë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike, administrimit të pronës publike dhe privatizimit të saj.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Arben Shehu dhe Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela vlerësuan gjatë takimit të përbashkët se niveli i lartë i shpërdorimeve të fondeve publike është kthyer në një shqetësim serioz për vendin dhe opinionin publik shqiptar, duke u angazhuar për një reagim të menjëhershëm nga ana e dy institucioneve.

Dy drejtuesit shprehën vullnetin maksimal për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes dy institucioneve, duke nisur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme me përgatitjen e një metodike të posaçme hetimi lidhur me hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike.

Nga ana e saj KLSH angazhohet të kryejë një proces të thelluar auditues dhe të referimit në prokurori të veprave penale.

Në vijim do të organizohen takime të përbashkëta periodike ndërmjet punonjësve të KLSH-së, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të specializuar për hetimin e veprave penale në fushën e krimit ekonomik. Ky proces ka si qëllim realizimin me përgjegjshmëri maksimale të detyrave funksionale.