Këshilltarja e lartë dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway tha se ajo do të largohej nga ekipi presidencial në fund të gushtit.
Në një deklaratë, 53-vjeçarja tha se do të largohet për t’u fokusuar më shumë me fëmijët e saj duke u dhënë atyre më pak dramë.
Largimi i saj dy muaj para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, do të përkojë me periudhën më delikate për Donald Trump, i cili po bën fushatë për një mandat të ri dhe shpreson për rizgjedhje, raporton Reuters.
Largimi i Kellyanne Conway është një goditje për presidentin pasi ai është braktisur nga një prej përfaqësueseve më të pasionuara të marrëdhënieve me median në Shtëpinë e Bardhë dhe një bashkëpunëtore besnike, e cila mbrojti pa rezerva politikat e tij dhe mbrojti vendimet e tij politike.
Konferencat e saj të shkurtra, koncize, të mprehta dhe të rregullta për shtyp ndihmuan në ndalimin e humbjes së shpejtë të mbështetjes për presidentin amerikan gjatë epidemisë së virusit.
Bashkëshorti i saj George, një kritik i njohur i presidentit, gjithashtu do të tërhiqet nga aktivizmi politik. Conway shton se ky ishte plotësisht një vendim i saj dhe shumë shpejt do të zbulojë planet për të ardhmen.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi vajza e saj Claudia, 15 vjeç, shkruajti në Twitter se puna e mamasë i kishte shkatërruar jetën. Pavarësisht dorëheqjes, Conway pritet të flasë në Konventën Kombëtare Republikane të mërkurën, kur Trump pritet të shpallet kandidat zyrtar i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.