Bota Shpërthen koronavirusi në plazhin nudist francez

Shpërthen koronavirusi në plazhin nudist francez

Autoritetet shëndetësore në Francë kanë ngritur alarmin për një vatër të re të koronavirusit, e cila ka shpërthyer në një plazh nudistësh në jug të vendit.

Të paktën 95 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në Cap d’Agde dhe zyrtarët e shëndetësisë kanë ngritur menjëherë alarmin. Ata u bëjnë thirrje pushuesve në këtë plazh që të zbatojnë masat e distancimit dhe të vendosin maskën.

Resorti nudist, përveç hotelit, përfshin dyqane, restorante, bare, madje edhe banka.

Të hënën e kaluar, në këtë resort u kryen 194 teste, nga të cilat 38 rezultuan pozitivë. Të mërkurën u kryen edhe 244 teste të tjera, nga të cilët rezultuan pozitivë 57 persona. Po ashtu, edhe të premten u testuan 310 persona, ndërsa rezultatet pritet të publikohen në fillim të kësaj jave, shkruan Daily Mail.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se shkalla e infeksionit në resort është katër herë më e lartë se në një fshat aty pranë.

Franca po përballet me një valë të dytë të virusit, ku vetëm në 24 orët e fundit u raportuan 4900 raste të reja, shifra më e lartë që prej muajit maj. Ministri i Shëndetësisë në Francë, Olivier Veran, u shpreh se situata ishte e vështirë dhe se infeksionet po përhapen me shpejtësi mes grupmoshës 20 deri në 40 vjeç.