Inati dhe stresi janë rritur ndjeshëm mes australianëve, pasi 13 milionë persona, rreth gjysma e popullsisë, janë detyruar të rikthehen në izolim për të frenuar një tjetër shpërthim të përhapjes së koronavirusit në vend.
Deri tani janë 3 shtete, Australia Jugore, Viktoria dhe Uellsi i Ri Jugor që janë rikthyer në izolim për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Covid-19. Nga ana tjetër, vetëm 14% e popullsisë është e vaksinuar.
Ndërkohë, Sidnei dhe Melburni, dy prej qyteteve kryesore, nuk kanë vendosur ende kur do të rihapen. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të jenë të pakënaqur, sidomos për faktin që po rikthehen në izolim kur kanë kaluar 18 muaj që nga nisja e pandemisë.
I përballur me shembujt e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Scot Morrison tha se edhe në këto shtete numri i viktimave dhe rasteve po rritet, pavarësisht vaksinimit me ritme shumë më të larta. Gjithashtu, ai tha se suksesi i vendit të tij është se ka mbajtur shumë të ulët numrin e rasteve dhe viktimave. Deri tani, Australia ka regjistruar vetëm 915 viktima, dhe vetëm 32 266 raste të konfirmuara.