Bregu: Tendencat demografike në Ballkanin Perëndimor dhe BE janë ilustrimi më i mirë i aspiratave të vërteta dhe i nevojave të qytetarëve
“Si Europa, ashtu dhe Ballkani Perëndimor janë duke ndryshuar demografikisht, si një model i vendeve ‘dërguese’ dhe ‘pritëse’, meqenëse pjesa më e madhe e rreth 230,000 qytetarëve kanë migruar ligjërisht nga rajoni drejt BE-së vetëm në vitin 2018, ndërkohë që mëse 5 milionë (ose ¼ e popullsisë aktuale të rajonit) kanë migruar gjatë 7 viteve të fundit. Po të shtojmë edhe numrin e të rinjve, këto shifra janë edhe më të larta: pavarësisht se 61% e tyre e mbështesin integrimin e rajonit në BE, ata nuk po humbasin kohë. Duke pasur parasysh se 35% e të rinjve të rajonit janë të papunë, (dyfishi i nivelit të papunësisë në BE), 62% e të rinjve do të dëshironin të largoheshin e të punonin jashtë shtetit (BB 2019). Këto janë shifra alarmante për rajonin. Megjithatë, ato flasin në mënyrë de facto për europianizimin demografik të popullsisë së saj”, tha znj. Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në fillim të debatit të panelistëve të nivelit të lartë “Ballkani Perëndimor dhe BE-ja: Sfidat e Përbashkëta dhe Përgjegjësitë e Ndara” të cilin ajo e moderoi, si pjesë të Kongresit Statutor të përvitshëm të Partive Popullore Europiane (PPE) 2019, i cili zhvillohet në Zagreb, Kroaci, nga datat 20-21 nëntor.
“Ne në RCC jemi tërësisht të angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe besojmë që gjërat mund të ecin përpara dhe se këto tendenca shqetësuese mund të kthehen mbrapsht. Pavarësisht se bashkëpunimi rajonal merr kuptim vetëm atëherë kur destinacioni përfundimar është integrimi në BE, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku duke lidhur tregjet dhe popujt, duke lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve në të gjithë rajonin, duke përmirësuar sistemet tona arsimore në mënyrë që të plotësojmë nevojat e tregjeve të punës, duke fuqizuar gratë, duke mobilizuar të rinjtë në proceset vendimmarrëse, duke përfshirë edhe aspektin social në veprimtaritë tona – duke çmontuar barrierat brenda për brenda rajonit tonë. Duke arritur të gjitha këto e shumë të tjera do të bëjmë që njerëzit të qëndrojnë dhe ata që tashmë janë larguar, të kthehen e të japin kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërive tona. Sepse në fund të fundit ç’mund të jenë tokat, pa njerëzit?!”, përfundoi zonja Bregu.
Panelistët ishin Dubravka Shuica, eurodeputete, zëvendëspresidente e emëruar e Komisionit Europian për Demokracinë dhe Demografinë dhe Nënkryetare e Grupit të Partive Popullore Europiane, Amila Karaçiç, Zëvendësdrejtore Programi, Instituti Ndërkombëtar Republikan në Bosnjë-Hercegovinë, dhe Doris Pak, Kryetare e Institutit Robert Shuman dhe e Grupit të Grave të PPE-së. Panelistët debatuan lidhur me marrëdhënien mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), duke synuar të hidhnin më shumë dritë e të ofronin zgjidhje për sfidat e përbashkëta, si: migracioni, papunësia e të rinjve dhe fenomeni i ikjes së trurit, si dhe për të diskutuar rreth përgjegjësive të përbashkëta që ndajnë BE-ja dhe Ballkani Perëndimor. Sekretarja e Përgjithshme, znj. Bregu, u ftua që të moderonte panelin për shkak të përvojës së saj të gjerë dhe njohurive të thella për rajonin dhe marrëdhënien e tij me BE-në.