Kristi Reçi, vajza brune e qeshur, që i pëlqente udhëtimet dhe lexonte “Princin e vogël” është një prej viktimave të identifikuara të Tërmetit në Thumanë.
Jeta dhe ëndrrat e vajzës 25-vjeçare u ndërprenë në mes duke lënë shumë dhimbje pas. Trupi i saj u gjet i pajetë mes rrënojave. Me humbjen e Kristit kemi humbur një mjeke të ardhshme, pasi ajo ishte studente në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku studionte për Stomatologji. Kemi humbur një aktiviste civile dhe një shpirt të bukur.
Në profilin e saj në facebook fotove e udhëtimeve dhe të konferencave mjekësore u bashkohet dhe shprehja e bukur nga libri “Princi i vogël”: “Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm”.
Lajmi për ikjen e hershme nga jeta ka tronditur miq e të afërm të saj, të cilët i kanë kushtuar lutjet e tyre dhe dedikime prekëse Kristit të ndjerë.
“Fatkeqësisht midis viktimave, ishte dhe mjekja dermatologe e ardhshme Kristi Reçi”, shkruhet në dedikimin e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
Doktoresha Monika Fida, një mike e afërt me Kristin me të cilën ishte aktive dhe në fushata sensibilizuese për publikun për mirëmbajtjen e dhëmbëve shkruan; “M’a copëtove shpirtin Kristi Reçi! Ëndërr e ndërprerë në mes … Dermatologja e ardhshme … RIP”. Statusi i saj ka me qindra komente ngushëlluese të studentëve e miqve të Kristit që i ka vrarë në shpirt ky lajm.
Po ashtu profesori Arben Gjata shkruan se; “Mes viktimave të termetit edhe studentja jonë, e ndjera Kristi Reçi. Për të dhe për të gjithë viktimat e kësaj dite të kobshme ju qoftë përherë e gjelbër lëndina, u prehshi në paqe dhe ngushëllime familjeve”.
Aktivistja Elona Caslli e veçon Kristin në një dedikim të sajin; “Mes shumë dhimbjesh, lotëve dhe trupave nën rrënoja që u nxorrën pa frymë, ishte edhe trupi i një mjekeje të ardhshme si Kristi Reçi. Thonë se toka merr më të mirët. Thonë se më të mirët ikin gjithmonë më shpejt. Gjithçka thuhet apo thonë, një gjë mund të thuhet me siguri- Ishte e parakohshme ikja jote!”
Tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë përtej bilancit tragjik të numrit të viktimave që rritet çdo orë fsheh pas çdo emri një histori njerëzore të ndërprerë para kohe.