Veteranët e Flamurtarit dërgojnë ndihma për familjet në nevojë. Një iniciativë e bukur është ndërmarrë në këto kohë të vështira nga pasojat e koronavirusit nga ish-futbollistët e viteve ‘80-90. Disa prej tyre kanë vendosur të ndihmojnë rreth 15 familje në nevojë në qytetin e Vlorës.
“Jemi një grup veteranësh të Flamurtarit që prej një viti bëjmë disa aktivitete. Në këto kushte menduam për një ndihmë modeste, disa pako për këdo që mund të jetë në nevojë”, tha Përparim Lushaj, dikur mbrojtës i ekipit vlonjat, si dhe ish-drejtor teknik.
“Jemi një brez futbollistësh që nuk mblidhemi vetëm për të luajtur futboll dhe për të kujtuar kohët e arta, e mbështeta menjëherë nismën, për të ndihmuar familje që na kanë duartrokitur”, shton Saimir Haxhiu, ish-lojtari vlonjat, djali i “bomberit” mitik Mexhit Haxhiu.
Ndihmat janë mbledhur para teatrit “Petro Marko”, ndërsa do të shpërndahen ndaj familjeve me nevoja jetike.
“Të ndihmojmë ato të moshuar që nuk kanë mundësi të dalin, të bëjnë një pazar, ashtu siç na kanë mbështetur kur ishin në fushë , t’i ndihmojmë ne tani, me mundësitë tona. Nuk është një ndihmë e madhe, por të dinë ata që ne jemi afër tyre dhe i mbështesim”, deklaroi Roland Iliadhi, një nga protagonistët e Flamurtarit që “guxoi” të sfidojë Barcelonën në vitet ’80.
Një iniciativë, kjo, që pritet të vijojë më tej në këto ditë të vështira.