Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ku një efektiv policie është vetëvrarë me armë zjarri.
Viktima është efektivi Arben Pjeçi 35 vjeç, i cili i dha fund jetës me armën e shërbimit në vendin e punës.
Efektivi ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike prej disa ditësh për shkak të një dënimi me formë të prerë nga gjykata që e kushtëzonte të ndërpriste marrëdhënien me punën.
Kështu njofton Policia e Durrësit përmes një komunikate zyrtare, ku sqaron se efektivi me detyrë specialist i Policisë Kriminale kishte ndërprerë marrëdhëniet me familjarët. Ishin këta të fundit që bënë kallëzim në polici për ta kërkuar.
Me anë të gjurmimit përmes numrit të celularit, polici Arben Pjeçi u lokalizua brenda zyrës së tij i vetëvrarë.
Arben Pjeçi ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Durrësit për plagosje të lehtë me dashje dhe për shkak të këtij dënimi, do të pezullohej nga puna.
Ky fakt e ka rënduar psikologjikisht efektivin e policisë, duke e çuar në aktin ekstrem.
NJOFTIMI I POLICISË DURRËS:
Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat.
Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.
Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi.
Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.
Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal.
Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.
Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.
Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake.