Kryeministri Albin Kurti është futur në vetizolim, pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19, dhe Kurti ka pasur kontakt me zyrtarin e Ministrisë.
Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet. “Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.
Kreu në detyrë i ekzekutivit deklaroi se do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij në largësi.