Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e një shume të madhe parash dhe të bizhuterive të ndryshme. Në kërkim janë shpallur Lefter Dauti dhe e dashura e tij Qamile Hakorja.
36-vjeçari dhe 26-vjeçarja në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar vjedhjen. Ata kanë marrë informacione se kushërira e Dautit do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para.
Qamile Hakorja është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte dhe K. Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.400.000 Lekë të rinj, 2770 Euro, 340 Paund dhe disa bizhuteri floriri.