Sihana Haxhnikaj ishte shqiptarja nga Kosova e cila konkurroi për t’u bërë pjesë “The Voice Australia”. Mes pjesëtarëve të jurisë ishte dhe Rita Ora. Pikërisht ajo vendosi të shtypë butonin dhe të marrë në skuadrën e saj 16-vjeçaren e cila u shpreh se muzika ka qenë një pasion që prej moshës 4-vjeçare, ndërsa ka qenë Rita Ora ajo që e ka frymëzuar të ngjitet në skenë dhe të performojë.
Siç shihet në videon e audicioneve, pas shtypjes së butonit, Rita i kërkon vajzës nga Kosova që të prezantohet, dhe sapo Sihana zbulon emrin e saj pranë yllit të hitit “Shine ya light”, fillojnë dyshimet mbi origjinën.
“Më duket si emër i njohur! Nga cili vend je?”, e pyeti Rita, konkurrenten e formatit televiziv, ndërsa kjo e fundit përgjigjet duke thënë – “Nga Kosova”.
“Oh Zoti im, është pikërisht vendi prej nga vij edhe unë”, tha Rita, duke reaguar e befasuar që një shqiptare po performante pak metra larg saj.
“Jemi shumë pak andej nga vijmë ne dhe duket sikur të gjithë jemi të afërm me njëri-tjetrin. Kështu që Sihana është si kushërira ime”, u shpreh Rita e emocionuar.
Madje, Rita nuk hezitoi dot edhe të fliste në gjuhën shqipe, teksa u dëgjua ta përshëndesë edhe familjen e konkurrentes në po të njëjtën gjuhë.
“Si je zemër?”, e pyeti Rita Ora, Sihanën, ndërsa duke iu drejtuar familjes së vajzës, Rita u shpreh duke thënë – “Si jeni, mirëmbrëma?”.
Rita Ora u shpreh e lumtur që tashmë në grupin e saj kishte përzgjedhur një vajzë me origjinë të njëjtë.
16-vjeçarja garoi me këngën ‘Nothing Breaks Like a Heart’ të Miley Cyrus. Ajo tërhoqi vëmendjen e të gjithë publikut, i cili duartrokiti thuajse gjatë gjithë performancës.