Pasi doli nga selia e SPAK, ku u pyet nga prokurorët për videon e publikuar ku shfaqet një person ndërsa konsumon kokainë në banakun e një lokali dhe që mendohet të jetë kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, gazetari Artan Hoxha tha disa njerëz po mundohen ta politizojnë çështjen.
Ai sqaron se u thërrit nga prokurorët e SPAK për videon e publikuar dhe se dha informacion për atë që dinte si dhe dorëzoi pamjet origjinale.
“U thërrita në cilësinë e personit që kam transmetuar materialin. Dhashë informacion mbi atë që di unë dhe atë që kam transmetuar dhe mbi hollësitë dhe detajet për videon e publikuar. Për çdo pyetje që patën prokurorët, kam dhënë përgjigjen time dhe më pas iu vura në dispozicion dhe pamjet. E kuptoj linjën e propagandës që po mundohen personat që janë vënë nën akuzë dhe kanë përgjegjësi morale që kanë vendosur drejtues të tillë lokalë në një palë zgjedhje pa kundërshtarë dhe po mundohen që ta politizojnë. Kjo nuk është një çështje politike, qartazi fare”, u shpreh Hoxha.