SPAK ka nisur procedim penal për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla pasi u publikua një video në të cilën pretendohet se kryebashkiaku shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike në ambientet e një lokali.
Alla ka reaguar mbrëmë pas publikimit të videos ku pretendohet se ai shfaqet duke thithur kokainë, dhe ka sulmuar Partinë Demokratike duke thënë se po bashkëpunon me grupe biznesi dhe grupe kriminale për ta shantazhuar atë.
Kryebashkiaku e quan videon montazh, por nuk paralajmëron kundërpërgjigje me padi në gjykatë si ndaj PD apo ndaj gazetarit Artan Hoxha që e publikoi videon.
Videoja e plotë u publikua nga gazetari investigativ Artan Hoxha i cili tha se i ka bërë të gjitha verifikimet që duhet të bëjë një gazetar investigativ përpara se ta publikonte videon.
Gazetari Artan Hoxha tha se ai kishte pasur presione e kërcënime për të mos i bërë pamjet publike.
“Unë po them, nuk e di në i ka futur ai, por erdhën njerëz të tjerë që kontaktuan, hynë në… Presion dhe marrëveshje është kërkuar pafund për ta evituar këtë gjë. Pa diskutim që kjo është pjesë. Gjithë kjo zhurmë që është shkaktuar sot mund të ishte zhdukur fare kollaj dhe unë të isha në hall timin. Por mua më interesonte fenomeni”, tha Hoxha mbrëmë në emisionin “Opinion”.