Pas tre orësh marrje në pyetje në Prokurorinë e Tiranë, kreu i KED Ardian Dvorani ka dhënë një deklaratë për mediat.
Dvorani i pyetur nëse ka dijeni për materialet video të cilat presidenti Meta i ka përmendur më herët, u shpreh se sipas tij funksionarët nuk i ushtrojnë çështjet ligjore me produkte artistike apo me filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë.
“Hetimi nuk zhvillohet në media, por në këtë godinë (prokuroria). Faktin si ka ndodhur dhe shpjegimin si ka ndodhur e kam dhënë tek prokurorët. Për video e kështu me radhë, unë mund të them se institucionet, zyrtarët nuk i shtrojnë çështjet ligjore me filma artistikë me metrazh të gjatë e të shkurtër. Provat tregohen pranë institucioneve. Unë jam gjyqtar jo politikan, s’kam elektorat. Unë llogaris pozicionin tim me Kushtetutën e vendit”, tha Dvorani.
Ai theksoi se pret hetimin e Prokurorisë duke mos dashur të bëjë shumë komente.
Sipas Dvoranit “nuk është për tu mburrur dhe as ndonjë rritje në karrierë që të pyetesh nga prokurori”, por ai tha se ka besim në drejtësi dhe se deri më tani ka dhënë vetëm dëshmi dhe ka shpjeguar arsyet e vendimeve të tij, duke mos paraqitur asnjë provë.
Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani u paraqit mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Tiranës.
Prej orës 10:00 ai është pyetur në lidhje me padinë e bërë ndaj tij nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Brenda javës në Prokurorinë e Tiranës do të pyeten edhe anëtarët tjerë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për procedurat e ndjekura për listimin e kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese.
Një ditë më parë në organin e akuzës u pyet për rreth 60 minuta edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Ai tha se veprimet e Dvoranit kanë qenë flagrante dhe Prokuroria duhet të zbatojë ligjin për të mos u ndikuar nga presionet politike.