Vienna Insurance Group (VIG) është një kompani e cila ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh sigurimi në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Me mbi 50 filiale të këtij Grupi, me rreth 25,000 punonjës në 25 shtete, VIG është një kompani sigurimi e e cila plotëson më së miri nevojat për sigurime në çdo natyrë biznesi.
Rrënjët e Vienna Insurance Group datojnë më shumë se 200 vite më parë në Austri dhe që prej vitit 2007 është prezent në Shqipëri nëpërmjet kompanive Sigma Interalbanian dhe Intersig.
Duke qenë pranë individëve dhe bizneseve prej kaq shumë vitesh, natyrshëm vjen dhe përgjegjësia e madhe ndaj jo vetëm klientëve të VIG, por dhe qytetarëve në nevojë të ndihmave për shkak të tërmetit të datës 26 Nëntor. Ndaj dhe VIG, së bashku me kompanitë e saj në Shqipëri, Sigma Interalbanian dhe Intersig, sapo kanë dhuruar 50,000 Euro në ndihmë të rimëkëmbjes së familjeve të dëmtuara.
Përpos donacionit monetar, të dyja kompanitë gjatë gjithë kësaj periudhe kanë kontrolluar dhe vlerësuar rreth 500 dosje me raste të dëmtuara nga tërmeti të cilat arrijnë në vlerën 5,000,000 Euro. Pronat në fjalë janë kryesisht pasuri të siguruara për efekt kredie në Bankat e nivelit të dytë dhe Biznese, ndërkohë që numri i individëve të cilët e kanë siguruar vetë, vullnetarisht banesën e tyre është relativisht i ulët.
Në një atmosferë të tillë, Vienna Insurance Group dëshiron t’i kujtojë bizneseve detyrimin moral për të dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e situatës së popullit shqiptar pas tërmetit të 26 Nëntorit, si dhe të kujtojë qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm dhe të sigurojnë banesat e tyre për të qenë të mbrojtur në çdo moment, ndaj çdo të papriture.