Në vigjilje të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Arqipeshkvi i Metropolitit Tiranë-Durrësit dhe Presidenti i Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, iu është drejtuar me një mesazh besimtarëve, por edhe gjithë shqiptarëve.
Në mesazhin e tij në këtë fundvit, kryefjalë ishte tërmeti dhe humbjet që pësuan mijëra shqiptarë.
“Sivjet Jezusi u bashkohet atyre që në këto 4 javë po kalojnë ditën dhe natën nën një tendë, jashtë shtëpisë së tyre. U bashkohet atyre që atë natë të 26 nëntorit në pak sekonda kanë humbur gjithçka, disa edhe vetë jetën e tyre. Në shpellën e Betlehemit shohim një çift shumë të varfër që dëgjojnë dënesën e foshnjës së sapolindur, atë dënesë që sot bashkohet me dënesën e atyre që para 4 javësh nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti kanë nxjerrë trupin e pajetë të të afërmit të tyre.
Nata e 26 nëntorit ka qenë një tragjedi e madhe, por ka qenë edhe rast që shumë njerëz shqiptarë si edhe të huaj të tregonin solidaritetin e tyre me ata që e kanë humbur një ose më shumë persona, të vdekur nën rrënoja dhe me ata që kanë humbur shtëpinë”, u shpreh Imzot Frendo.
Imzot George Frendo vlerësoi si një nga tiparet më të bukura të shqiptarëve solidaritetin. Duke sjellë shembullin e Jezusit fëmijë, ai kujtoi fjalët e tij: ‘pata uri e më dhatë për të ngrënë, isha i zhveshur dhe më veshët’.
“Ne si Kishë katolike, por jo vetëm ne, jemi duke ndihmuar shumë persona që po vuajnë pasojat e tërmetit. Sot nga grazhdi Jezusi fëmijë i etur dhe lakuriq na kujton fjalët që ai si i rritur na tha, ‘pata uri e më dhatë për të ngrënë, isha i zhveshur dhe më veshët’”, tha ndër të tjera ai.
“Ndoshta shumë prej jush ëndërroni të largoheni nga Shqipëria, por ëndërroni më shumë të krijoni një Shqipëri më të mirë”, ishin fjalët e Arqipeshkvit George Frendo që i kërkoi Zotit të ruajë Shqipërinë.